Mehmet Pashë Deralla – luftëtar i shquar i periudhës së Rilindjes Kombëtare
DOI:
https://doi.org/10.58923/diskutime.v7i23.538Abstrakti
Atje ku është etnia dhe shumësia shqiptare, atje është Shqipëria –lajtmotiv i rilindësve. Një ndër veprimtarët më të spikatur të Lëvizjes Kombëtare në trevat verilindore është edhe Mehmet Deralla. Emri i këtij personaliteti figuron edhe si Mehmet Pashë Deralla, apo Mehmet Pashë Tetova. Veprimtaria e tij është zhvilluar në dy dimensione: në dimensionin ushtarak dhe në atë politik.
I lindur në vitin 1843, pra në vitin e Kryengritjes së Dervish Carrës, në fshatin Gradec të Pollogut, ai do të vazhdojë traditën patriotike të familjes së tij. Ky personalitet prominent i popullit shqiptar, ishte njeri me vetëdije të lartë kombëtare. Mësimet e para dhe arsimimin fillor i mori në vendlindje. Duke qenë se babai i tij – Hasan Deralla ishte njeri i arsimuar dhe atdhetar i shquar, Mehmet Deralla nuk reshti së shkolluari. Vazhdoi shkollimin në Manastir, qendër kjo që pak më vonë do të shndërrohet edhe në qytet historik. Në qytetin e shkronjave të shqipes, Mehmet Deralla do të kryejë gjimnazin. Duke qenë nxënës i dalluar dhe i zgjuar, ai do të regjistrohet në Akademinë Ushtarake për oficer në Stamboll. Suksesi në shkollimin e lartë ishte motiv të vazhdonte studimet në Akademinë e Shtatmadhorisë, në kryeqytetin perandorak. Në moshën 35-vjeçare merr gradën e gjeneralit.