Mbi punimin për një histori të krahasuar të letërsisë Shqipe të Prof. Dr. Dhurata Shehrit dhe Prof. Dr. Persida Asllanit

Autorët

  • Laura Smaqi

DOI:

https://doi.org/10.62006/sf.v75i1-2.1101

Abstract

Për një kohë të gjatë në mjedisin shkencor është diskutuar mbi mënyrën se si duhet shkruar historia apo një histori e letërsisë shqipe në gjendjen e sotme të dijes mbi letërsinë, në koherencë me frymën bashkëkohore. Gjatë rreth dy dhjetëvjeçarëve kanë mbizotëruar kontribute pa fund në konferenca të organizuara me një tematikë të tillë, të finalizuara dhe me botime aktesh, pa llogaritur kontributet me të njëjtën temë por, brenda konferencave me tematika të përgjithshme. Ndërkohë që është folur aq shumë për mënyrën se si duhet shkruar historia e letërsisë, studimet konkrete që venë në qendër të hulumtimit këto parime, për fat të keq kanë qenë dhe janë shumë më të pakta. Për këtë arsye botimet në fushë të historisë së letërsisë shqipe, gjithmonë janë jo vetëm të mirëpritura si për mjedisin shkencor, akademik, studentor e më gjerë, por në përurime të kësaj natyre, marrin dhe konotacionin entuziazmues të një kremtimi apo takimi të gëzueshëm.
Punimi “Për një histori të krahasuar të letërsisë shqipe” shkruar nga Dhurata Shehri e Persida Asllani, Albas 2021, përveçse tregon një mënyrë se si mund të shkruhet një histori e letërsisë shqipe, njëherësh, siç e vënë në dukje vetë autoret në nisje të tij, synon të jetë një skicë me disa nga linjat kryesore për hartimin e një historie të krahasuar të letërsisë shqipe. Ai konsiderohet si një zanafillë e një pune shumë më të gjerë dhe të thellë hulumtuese, që do të përfshinte të gjitha fazat e zhvillimit të letërsisë shqipe në marrëdhënie me letërsinë botërore, si një nisje kontributesh apo veprash të mëpasshme studimore. Është vërtet e nevojshme që letërsia shqipe të shihet e lidhur e në marrëdhënie dinamike e të vazhdueshme me lëvizje, shkolla, autorë e vepra të letërsisë botërore, të cilat e bëjnë njëherazi atë pjesë të zhvillimeve letrare botërore, por edhe ndihmojnë në përcaktimin e origjinalitetit të saj jo më përmes vështrimit izolacionist, të ngushtë, por përmes vështrimit përfshirës që, falë komunikimit të vazhdueshëm me letërsi të tjera modelon poetika, zhanre, stile dhe figuracion, duke krijuar origjinalitet jo më nga veçimi, por nga rikrijimi.

Downloads

Download data is not yet available.

Downloads

Published

2021-06-06

How to Cite

Smaqi , L. (2021). Mbi punimin për një histori të krahasuar të letërsisë Shqipe të Prof. Dr. Dhurata Shehrit dhe Prof. Dr. Persida Asllanit. Studime Filologjike, 75(1-2), 169–172. https://doi.org/10.62006/sf.v75i1-2.1101

Numër

Section

Kritikë dhe bibliografi