Dhori Qirjazi, "Bleta Shqyptare", botim anastatik me një studim hyrës
DOI:
https://doi.org/10.62006/sf.v75i3-4.1109Abstrakti
Në 200-vjetorin e lindjes së Thimi Mitkos Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka botuar në dy vëllime librin Thimi Mitko (18820-1890) “Bleta shqiptare, shkrime të tjera dhe dokumente”, përgatitur nga Dhori Q. Qirjazi, Tiranë, 2020. Prof. Dhori Qirjazi prej vitesh i ka hyrë studimit të thelluar të veprimtarisë mbledhëse e krijuese të rilindasit të shquar Thimi Mitko, nëpërmjet shqyrtimit të dokumenteve në fondet e dedikuara të Arkivit të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë dhe të Arkivit Qendror të Shtetit, të sjella në Shqipëri në mesin e viteve ’80 nga prof. Jorgo Bulo. Ky fond i pasur me dorëshkrime, i ruajtur nga pasardhësit e Mitkos në Aleksandri të Egjiptit, është një thesar i vërtetë për të hedhur dritë e për të plotësuar zbrazëtitë mbi veprimtarinë letrare të panjohur të Thimi Mitkos. Mbas një pune disavjeçare prof. Qirjazi nxori në dritë botimin e dorëshkrimit të Fjalorit shqip-greqisht e greqisht-shqip bashkë me ndihmesa të tjera leksikografike të Mitkos, duke kryer punën e imtë përgatitore të botimit të 5 mijë skedave me dorëshkrime si dhe një studim hyrës për historikun e parateksteve. Shënojmë që prof. Dhori Qirjazi është studiuesi i rrallë, në mos i vetmi albanolog në kohën e sotme, i cili ka përgatitjen dhe formimin e duhur gjuhësor e filologjik për t’u marrë me studimin, transkriptimin, përkthimin dhe përgatitjen për botim të një vepre si ajo e Mitkos, e shkruar me alfabetin grek dhe pjesërisht e shkruar në gjuhën greke.