Fjalori i ri arabisht - shqip
Abstract
Botimi më i ri, «Fjalori arabisht-shqip», plotëson mozaikun e fjalorëve të gjuhëve lindore në gjuhën shqipe.
Fjalori është i shoqëruar me shpjegime të hollësishme dhe me barasvlerësit përkthimorë dhe përbën një nga botimet e para të këtij lloji në tregun e botimeve shqipe.
Autori i tij është Sulejman Tomçini, një diplomat i njohur karriere, me përvojë të gjatë pune në vendet arabe (Algjeri, Egjipt, Arabi Saudite) dhe në sektorin e gjuhës arabe në Radiotelevizionin Shqiptar.
Ai i ka nisur studimet e larta për gjuhën arabe në vitet gjashtëdhjetë në Moskë, por, për arsye politike të kohës, i përfundoi ato në kryeqytetin e Irakut, Bagdad.
Për përgatitjen e këtij fjalori autori është këshilluar me shumë fjalorë të tjerë të botuar në vendet arabe, në Moskë dhe në Shqipëri.
Një fjalor i këtyre përmasave botohet për herë të parë në Shqipëri.
Me gjithë vonesën prej disa dhjetëvjeçarësh, kjo vepër i vjen gjuhësisë shqiptare në një moment të volitshëm e të dobishëm, i vjen në një kohë kur duhen parë me një sy vlerësues e kritikë lidhjet e vjetra dhe të reja të arabishtes me shqipen, si dhe prurjet e gjuhës arabe në shkencat tona humane. Ajo përcakton, në një farë mënyre, edhe nivelin me të cilin duhet të përballet gjuhësia jonë bashkëkohore në momentin që do t’u rikthehet kontakteve dhe komunikimit me gjuhët e lindjes.
Ky fjalor paraqet leksikun dhe frazeologjinë e gjuhës standarde arabe. Ai mbështetet në leksikun që gjendet në tekstet e librave, gazetave, revistave dhe letrave anembanë botës arabe, që nga Iraku deri në Marok. Ky leksik përdoret, gjithashtu, në fjalimet zyrtare publike, në radio e televizion, si dhe në ceremonitë fetare.
Morfologjia dhe sintaksa e arabishtes së shkruar është në thelb e njëjtë për të gjitha vendet arabe. Ndryshimet në leksik kufizohen kryesisht në lëmin e termave të veçantë. Kështu, gjuha standarde vazhdon, ashtu siç dhe ka bërë përgjatë shekujve në të shkuarën, të sigurojë unitetin gjuhësor të botës arabe.
Botimi i këtij fjalori, i konceptuar si një prurje e re dhe e bollshme në fushën e leksikografisë, do t’u vijë në ndihmë studiuesve, studentëve shqiptarë në vendet arabe dhe studentëve në fakultetet e medresetë islame në Shqipëri, Kosovë, Mal të zi, Maqedoni etj.
Kjo vepër e rëndësishme është një kontribut i çmuar për kulturën dhe qytetërimin islam në trojet tona.