"Pedagogjia" e Profesor Krajës, vepër me vlera të mirëfillta shkencore
Abstract
Kohët e fundit u vu në qarkullim libri “Pedagogjia” i specialistit të njohur të kësaj fushe, Prof. Dr. Musa Krajës, autor i 33 librave social-pedagogjikë dhe botimeve didaktike dhe historike, etj. Ai është autori me “këmbë në shkollë”, me aftësi teorike dhe aplikative, që prej disa dekadash veprimtarie të mirëfilltë arsimore, praktikë në të gjitha nivelet e arsimit, si mësues, drejtor dhe punonjës shkencor në ISP, si dhe profesor i pedagogjisë në Universitetin e Tiranës për më shumë se dy dekada.
Botimi shtrihet në 22 kapituj. Dy kapitujt e parë paraqesin zhvillimin historik të edukimit dhe mendimit pedagogjik botëror dhe shqipëtar. Më poshtë, trajtohet pedagogjia si shkencë, me objektin e saj, disiplinat pedagogjike, sistemin tonë arsimor dhe sistemet e tjera, shkollën si institucion, edukatën si kategori e përhershme individuale dhe shoqërore, hapësirat e edukatës, makromjedisin, mikromjedisin, vetë-edukimin etj. Një kapitull i ri paraqit te kurrikula, bazat, zbatimi krijues i saj etj. Didaktika dhe “Të mësuarit” përbëjnë dy kapituj të rëndësishëm të tekstit, duke vazhduar më tej me kapituj të tjerë si “Të nxënit”, “Mësuesi, nxënësi, personaliteti i tyre”, “Nxënësit e vështirë”, etj.
Ndërsa matjet, kontrolli i njohurive, vlerësimi, veprimtaria ekstrakurrikulare trajtohen në kapituj më vete dhe përbëjnë kolona të fuqishme të kësaj vepre. Një kapitull i ri “Arsimi jopublik, si alternativë arsimimi” dhe “Globalizimi i arsimit” përbëjnë trajtime të veçanta në kuadër të integrimit europian edhe në fushën e edukimit dhe shkollës.
Vëmendje për zonat rurale dhe problemeve të tyre zënë një vend të veçantë në këtë punim origjinal, i cili është produkt i një vëzhgimi të thellë shkencor në zonat rurale të vendit dhe në disa vende të zhvilluara europiane.
"Pedagogjia familjare" dhe "Pedagogjia popullore" me specifikat e veta trajtohet gjerësisht; e para si teori dhe praktikë shkencore, dhe e dyta jo si e tillë, duke lënë hapësirë për një bibliografi të burimeve kryesore që autori ka përdorur për konsulencë shkencore. Ky libër jep vizionin e një punimi madhështor, të një pedagogjie të përgjithshme që plotëson kërkesat e programeve universitare në këtë fushë, si dhe u përgjigjet kërkesave në rritje të mësuesve për kualifikim të mëtejshm, studentëve të fakulteteve të mësuesisë, në universitetet shqiptare brenda dhe jashtë vendit, dhe studiuesve të interesuar për problemet e edukimit
Autori, Prof. Musa Kraja, mbështetet në përvojën më të mirë të shkollave shqiptare këtej dhe andej kufiri, që e ka njohur drejtpërdrejt në kualifikimet e tij, pa u shkëputur nga literatura bashkëkohore.
Kështu, “Pedagogjia 2006” është një vepër themelore e mendimit pedagogjik shqiptar, që zë vendin e vet të rëndësishëm në bibliotekën tonë pedagogjike si tekst zyrtar, jo vetëm i kurrikulave të Universitetit të Tiranës, por edhe i shkollave të tjera të larta që përgatisin mësues.



