Hapja e të dhënave dhe qasja në dokumente zyrtare
Abstract
Me qëllim të ngritjes së transparencës, efikasitetit dhe llogaridhënies së administratës shtetërore, Qeveria e Republikës e Kosovës mori iniciativë për Hapjen e të Dhënave (Open Data). Kjo iniciativë udhëhiqet nga Ministria e Administratës Publike dhe filloi së zbatuari më 13 maj 2016, kur Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi Kartën Ndërkombëtare për Hapjen e të Dhënave. Miratimi i Kartës për hapjen e të dhënave është në përputhje me iniciativën e Partneritetit për Qeverisje të Hapur (PHQ). Pas miratimit të Kartës për Hapjen e të Dhënave, Qeveria e Kosovës nxori “Vendimin për organizimin dhe funksionimin e strukturave institucionale për të dhëna të hapura”, me të cilën obligohen të gjitha institucionet e Kosovës t’i hapin të dhënat e tyre dhe t’i publikojnë në portalin kombëtar për të dhëna të hapura. Dokumentet dhe të dhënat e prodhuara nga institucionet publike përbëjnë një grumbull të madh e shumë të rëndësishëm të informatave që do të mund të ndihmojnë në avancimin shoqëror, ekonominë dhe demokracinë. Përfitimet e të dhënave të hapura përfshijnë këto elemente: transparencën, përmirësimin e shërbimeve publike, efikasitetin, inovacionin dhe vlerën ekonomike. Qeveria e Kosovës, në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 4 korrik 2019 miratoi Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, i cili garanton të drejtën e secilit person, pa diskriminim, mbi çfarëdo baze, për të pasur qasje. Ky ligj i obligon të gjitha institucionet e RKS-së për caktimin e dy zyrtarëve përgjegjës: njëri për hapjen e të dhënave dhe një tjetër për qasje në dokumente publike. Bazuar në këta dy zyrtarë dhe këto dy punë, do të paraqes informacione për hapjen e të dhënave dhe për qasjen në dokumente zyrtare



