Unifikimi i terminologjisë arkivore në përshkrimin arkivor
Abstract
Ndonëse veprimtaria institucionale e arkivave në Shqipëri është më e
konsoliduar, një marrëveshje për termat e përshkrimit të dokumenteve arkivore, me të
gjitha sprovat që meritojnë të çmohen, ende është në luhatje dhe e pangulitur. Botimi i
një fjalori të njësuar për përshkrimin e dokumenteve arkivore duhet të kuptohet si një
domosdoshmëri për ndërveprim, komunikim, hapje ndaj publikut dhe integrim.
Institucionet arkivore në Shqipëri dhe ato që administrojnë trashëgimi kulturore
kanë fonde me fusha të njëjta të dijes, ofrojnë shërbime të njëjta dhe ndajnë objektiva
të njëjta, ndaj dhe hartimi i një marrëveshje për termat e përshkrimit të koleksioneve
arkivore është një çështje thelbësore. Me këtë artikull kemi qëllim t’ua përkujtojmë
drejtuesve të institucioneve arkivore çështjen e normalizimit dhe standardizimit të
terminologjisë arkivore në procesin e indeksimit të njësive arkivore si një mundësi
shumë e mirë për bashkëpunim dhe bashkërendim të praktikës kombëtare arkivore,
me qëllim të përpunimit shkencor të njësive arkivore me terminologji të njësuar në të
gjithë sistemin arkivor kombëtar. Po ashtu, bëjmë përpjekje t’i analizojmë argumentet
në mbështetje të propozimit për unifikimin e terminologjisë arkivore në procesin e
përshkrimit në rastin e institucioneve arkivore, pjesë rrjetit kombëtar arkivor.



