Përcaktimi i foljeve të parregullta në gjuhën shqipe

Autorët

  • Leonard Dauti
  • Mustafa Karapinjalli

DOI:

https://doi.org/10.62006/sf.v1i1-2.3203

Abstract

Klasifikimi i foljes në gjuhën shqipe ka tërhequr vëmendjen dhe ka qenë objekt studimi për një numër të madh autorësh, shqiptarë dhe të huaj. Në studimet për gjuhën shqipe ndeshim pothuajse po aq klasifikime sa dhe autorë që janë marrë me të, sa që vështirë se mund të gjejmë dy klasifikime që të përputhen me njëri-tjetrin. Mospranimi i një modeli të vetëm klasifikimi mendojmë se ka ndodhur për dy arsye: (i) kompleksiteti që paraqet paradigma eptimore e foljes në gjuhën shqipe; (ii) baza teorike e metodologjike nga janë nisur autorët për hartimin e klasifikimeve përkatëse, e cila nuk mund të pretendohet të jetë e njëjtë dhe e njëtrajtshme përgjatë fazave të ndryshme të zhvillimit të mendimit gjuhësor shqiptar. Këto dy arsye kanë përcaktuar pikërisht edhe përzgjedhjen e kritereve të ndryshme si bazë për klasifikimin e foljes në zgjedhime, ndër të cilët mund të përmendim: 1) fonema fundore e temës; 2) kundërvënia temë e së tashmes – temë e aoristit të mënyrës dëftore, e bazuar në dy kritere ndihmëse: a) ndryshimet fonemore të temës; b) zgjerimi i temës foljore; 3) mbaresat vetore; 4) kriteri sasior (shih: Da Lece, 1716; Dozone, 1878; Kristoforidhi, 1882; Frashëri, 1886; Meyer, 1888; Hahn,1854; Pekmezi, 1908; Weigand, 1913; Sheperi, 1927; Cipo, 1949; Demiraj, 1969; Fonetika dhe gramatika e gjuhës së sotme letrare shqipe, 1976 (më poshtë: Dhrimo et al., 1976); Resuli, 1985; Buchholz & Fiedler, 1987; Çeliku, Karapinjalli & Stringa, 1998 (më poshtë: Çeliku et al., 1998); Gramatika e gjuhës shqipe 1, morfologjia, (1995) 2002 (më poshtë: Agalliu et al., 2002); Memushaj, 2012; Teichmann, 2019). Ndërsa për ndarjen në folje të rregullta dhe të parregullta, një ndarje përtej klasifikimit në zgjedhime, si kriter është marrë për bazë shmangia nga zgjedhimi i foljeve të rregullta. Për këtë ndarje në gramatikat më të fundit si kriter formal është marrë ndryshimi i plotë ose i pjesshëm i temës foljore (Dhrimo et al., 1976:243; Agalliu et al., 2002:284; Çeliku et al., 1998:136; Teichmann, 2019:38).

Downloads

Download data is not yet available.

References

  1. Një falënderim i veçantë shkon për prof. as. dr. Albert Riskën, mendimet, idetë dhe vrojtimet e të cilit, të shprehura në bisedat e shpeshta që kemi zhvilluar veçanërisht për këtë çështje, por edhe për probleme të tjera gjuhësore, na kanë ndihmuar të qartësojmë interpretimin tonë për probleme thelbësore, si ai i rregullsive dhe parregullsive që krijojnë profilin e sistemit foljor të gjuhës shqipe. Gjithashtu, shprehim falënderimin dhe mirënjohjen tonë për recensuesen prof. dr. Ludmila Buxheli, vërejtjet dhe sugjerimet e së cilës kanë qenë një ndihmesë dhe orientim i çmuar për përmirësimin e formës përfundimtare të artikullit.

  2. Përdorim konceptin ‘bashkësi’ për të shënuar një grup foljesh që karakterizohen nga tipare formale të përbashkëta, si natyra e temës, fonema fundore, zanorja ose grupi zanor i temës, sistemi i mbaresave që ato marrin gjatë zgjedhimit.

  3. Kundërvëniet tematike do t’i analizojmë si kundërvënie temash eptimi dhe jo mbi bazën e ndërrimit të tingujve. Në këtë mënyrë ruajmë koherencën e analizës morfologjike, pa e ngatërruar atë me analizën fonetike. Për konceptin e temës së eptimit ose temës morfologjike, që këtu e marrim të mirëqenë, shih: Dhrimo et al., 1976:28; Agalliu, 1981:41; Agalliu et al., 2002:52.

  4. Me anë të këtyre formulave kemi paraqitur gjedhen e përftimit të temës së eptimit mbi bazën e ndërrimeve që pësojnë zanoret tematike. Në [T(-a-)a→e]TvII/III.nj.t.d. T(-a-) shënon temën foljore bazë me zanore të theksuar -a-; a→eshënon ndërrimin përkatës që ndodh në zanoren e theksuar të temës bazë. Mbi bazën e këtij ndërrimi është përftuar tema e vetës së dytë dhe të tretë njëjës të së tashmes dëftore (TvII/III.nj.t.d.). Sipas kësaj mënyre lexohen edhe formulat e tjera.

  5. Ndonjë folje, si përbëj del me paradigmë të paplotë. Nuk kemi përdorim të kësaj foljeje për vetën I dhe II të së kryerës së thjeshtë. Kushtëzimi në këtë rast është i natyrës semantike dhe prek sferën e ligjërimit. Format përbëra, përbëre, ndonëse nuk ndeshen në përdorim, mund të konsiderohen si forma potenciale, sipas modelit të zgjedhimit të foljes bëj.

  6. Në korpusin e gjuhës shqipe:

  7. http//web-corpora.net/AlbanianCorpus/search/?interface_language=en kemi gjetur raste përdorimi me temë-T për foljet shkruaj, bluaj, shuaj, ndërsa në ligjërimin e folur edhe për paguaj.

  8. Nisur nga qëndrimi i mbajtur për variantin standard në Gramatika e gjuhës shqipe, 1, Morfologjia (1995, 2002) edhe foljet me temë më grupin zanor -ua do të duhej të klasifikoheshin si të parregullta, pasi një pjesë e tyre në të kryerën e thjeshtë dalin me temë më zanore: shkro-va, rro-va, pago-va etj. Por duhet të kemi parasysh se dukuria e zgjerimit të temës në të kryerën e thjeshtë për këto folje është bërë gjithëpërfshirëse, siç po vërehet jo vetëm në ligjërimin e folur, por edhe në atë të shkruar. Ndeshet rëndom shkruaj shkrova/shkruajta, kruaj krova/kruajta, rruaj rrova/rruajta, paguaj pagova/paguajta etj. Kjo është dëshmi e lëvizjeve që ndodhin në sistemin foljor të gjuhës shqipe dhe, nëse kjo prirje do të vazhdojë të shtrihet edhe për foljet me temë më zanore, në një të ardhme zgjerimi i temës mbetet të konsiderohet si rregullsi e zgjedhimit të foljes.

  9. Folja flas ka pësuar edhe ndryshime të tjera: flas < fëlas < folas < fol+-as. Te përflas, si krijim i mëvonshëm, nuk mund të pretendojmë se janë të ngjizura ndryshimet e mësipërme, pasi ajo zgjedhohet sipas modelit të foljes bazë flas, duke respektuar kundërvëniet tematike përkatëse. Ne i përmbahemi mendimit se zgjedhimi bëhet sipas modeleve të përftuara mbi bazën e kundërvënieve tematike dhe jo ndërrimeve të tingujve brenda temës foljore.

  10. Për foljen humbas tema e të tashmes është një temë dytësore që përdoret krahas temës së rregullt humb. Po e njëjta vërejtje vlen edhe për foljen këllas, këlthas.

  11. Foljet e këtij nëngrupi, por edhe ato të nëngrupit (2c), shfaqin parregullsi jo vetëm në sistemin e mbaresave, por edhe në temën foljore. Mbaresat e të kryerës së thjeshtë njëjës, për grupin (2c) edhe shumës, janë të kushtëzuara nga dalja e temës më bashkëtingëllore. I kemi përfshirë në këtë grup, pasi mbaresa zero e së tashmes njëjës të dëftores është e karakterit arbitrar.

  12. Në grupin e foljeve supletive bëjnë pjesë edhe disa folje që e formojnë vI.nj.kr.th.d. sipas modelit të aoristit sigmatik: jam - qesh-ë, jap - dhash-ë, shoh - pash-ë, bie - rash-ë.

  13. Në këtë numër përfshihen vetëm foljet e parme dhe jo derivatet e tyre. Përfshirja e derivateve të tyre do ta çonte numrin mbi 100 folje të parregullta.

Downloads

Published

2018-06-09

How to Cite

Dauti, L., & Karapinjalli, M. (2018). Përcaktimi i foljeve të parregullta në gjuhën shqipe. Studime Filologjike, 1(1-2), 117–134. https://doi.org/10.62006/sf.v1i1-2.3203