Koleksionet latine në bibliotekën kombëtare të Kosovës
Abstrakti
Pas hulumtimeve të bëra në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, përkatësisht në Departamentin e Koleksioneve te Veçanta, arritëm të konstatojmë se ky institucion disponon një numër të konsiderueshëm të koleksioneve latine. Periudha e këtyre botimeve përfshin kohën nga viti 1474 e deri më 1955. Vlen të përmendet se pjesa më e madhe e këtyre koleksioneve janë kryesisht të karakterit historik, kulturor, arsimor si fjalor, gramatika, ushtrimore etj. Pjesa më e madhe e tyre janë libra të dhuruar nga personalitete të shquara të kulturës, shkencës e studimit si: Krist Maloki, Shaqir Kastrati, etj. Por ka edhe blerje nga individë. Aktualisht shfrytëzohen nga përdoruesit e bibliotekës vetëm për aspekte studimore e hulumtuese. Duke marr parasysh rëndësinë që kanë këto koleksione, ato janë klasifikuar në fondin e veçantë të koleksioneve të librave të rrallë dhe të vjetër dhe konsiderohen si raritete. Përveç librave origjinale, një pjesë e këtyre koleksioneve ruhen kopje. Në këtë punim kemi bërë përpjekje të sjellim të dhëna elementare bibliografike dhe përmbajtjen e tyre.