Përballja e dy gjeneralëve: Pirro Mani – Serafin Fanko
Abstract
Teatri Kombëtar, me një arkiv të shfaqjeve të vënë në këtë teatër që prej vitit 1945, disponon një numër të madh dosjesh të shfaqjeve teatrale, ku janë të shënuar titulli i shfaqjes, autori, regjisori dhe viti. Në këtë arkiv, Dosja “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” përmban materiale të rëndësishme për një nga shfaqjet më dinjitoze të historisë së Teatrit shqiptar, vënë në skenë në vitin 1972 prej Trupës së Teatrit Kombëtar nga regjisori Pirro Mani. Kjo shfaqje është një dramatizim nga vetë regjisori, bazuar në romanin me të njëjtin titull të shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Përmes kërkimeve nëpër arkiva hasin një tjetër fakt të rëndësishëm, kësaj radhe në arkivin e Teatrit Migjeni Shkodër që, 17 vjet pas vënies së “Gjeneralit” nga Pirro Mani, vihet një variant tjetër i kësaj shfaqje, këtë herë me titullin “Shtegtim në ankth”, nga regjisori Serafin Fanko. Në arkivin e teatrit të këtij qyteti, që nis punën në vitin 1950, ekziston një numër i madh dosjesh, që edhe pse më të pakta në numër, janë më të pasura se ato të Teatrit Kombëtar. Brenda dosjes së shfaqjes “Shtegtim në ankth” të këtij arkivi, të shtypura me makinë shkrimi nga vetë regjisori, ekziston teksti i dramatizuar nga regjisori më përfaqësues i këtij teatri, Serafin Fanko, së bashku me platformën regjisoriale. Të dy arkivat disponojnë, përveç skicave të kostumeve, posterave të secilës shfaqje, edhe një numër të konsiderueshëm fotografish të shkrepura gjatë shfaqjeve. Arkivi fotografik ka një rëndësi të madhe për evidentimin e historikut të regjisurës shqiptare në një periudhë ku shfaqjet nuk regjistroheshin. Përmes tyre mund të ndërtohet një mozaik i mënyrës vizuale të ndërtimit të shfaqjes, mizanskenave, grimit, kostumeve dhe skenografisë të saj. Ky dokumentim viziv krijon mundësinë po ashtu për të njohur aktorët e mëdhenj, e në paragrafin mbi aktorët, fotografitë shërbejnë si një udhërrëfyes për ndërtimin dhe konceptimin e karaktereve vizualisht. Fotografitë e gjendura në këto dosje të Arkivit të Teatrit Kombëtar e të Arkivit të Teatrit “Migjeni” kthehen në një mjet njohës për brezat pasardhës. Gjetja e këtyre materialeve të një rëndësie të madhe për teatrin në këto arkiva ishte një zbulim, pa të cilin nuk do arrinim të krijonim një Përballje mes gjeneralëve të teatrit Mani - Fanko, studim që nuk është bërë deri më sot.



