U nda nga jeta pProf. Dr. Jorgji Gjinari (1931–2020)
DOI:
https://doi.org/10.62006/sf.v74i3-4.1009Abstrakti
Më 7 gusht 2020 u nda nga jeta prof. dr. Jorgji Gjinari, gjuhëtar dhe dialektolog i shquar. Jorgji Gjinari kishte lindur në Berat më 1931, ku edhe kreu shkollimin fillor e më pas shkollën e mesme pedagogjike. Më 1951 filloi studimet e larta në Institutin Pedagogjik 4-vjeçar, që u çel atë vit në Tiranë. U diplomua në degën e Gjuhës Shqipe dhe të Letërsisë në atë institut më 1955. Po atë vit u emërua si punonjës shkencor në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë, të themeluar rishtas në kuadrin e Institutit të Shkencave. Së bashku me Engjëll Angonin (1928–2017) dhe Anastas Dodin (1933–2008), ishte ndër gjuhëtarët e parë të shkolluar në Shqipëri. Fusha kryesore e punës së Jorgji Gjinarit si gjuhëtar ka qenë dialektologjia: hulumtimi në terren i të folmeve të gjuhës shqipe, brenda e jashtë kufijve të vendit, hartimi i punimeve përshkruese për këto të folme dhe më tej vështrime përgjithësuese për dukuri të veçanta dialektore dhe për struktura gjuhësore të dialekteve.
J. Gjinari ndërmori një varg ekspeditash në vise të ndryshme të vendit, nga Jugu në Veri, po ashtu në Kosovë dhe te ngulimet arbëreshe të Italisë. Me vëzhgimet dhe materialet e mbledhura në terren hartoi një varg punimesh përshkruese për të folmet e hulumtuara, si e folmja e qytetit të Beratit dhe të folmet e disa krahinave, si Opari, Skrapari, Mallakastra, Myzeqeja, Devolli, Korça (qyteti dhe fusha e Korçës), Bregu i Bunës, Tropoja. Duke njohur gjithnjë e më mirë veçoritë e të folmeve territoriale dhe duke zgjeruar njohuritë shkencore në fushën e dialektologjisë në veçanti dhe të gjuhësisë shqiptare e të përgjithshme, J. Gjinari filloi të hartojë edhe studime për dukuri të veçanta të sistemit fonetik të shqipes dialektore si edhe disa punime përgjithësuese për toskërishten veriore, për grupimin e të folmeve të saj, për gegërishten jugore, për ndarjen dialektore të gjuhës shqipe, për historinë e strukturës dialektore të shqipes, duke i vështruar disa dukuri gjuhësore në lidhje dhe me historinë e trevave përkatëse dhe të popullit shqiptar në tërësi. Më tej ai kaloi në një sintezë përgjithësuese me veprën “Dialektet e gjuhës shqipe” (1989).